Deklaratat e Komisioneres për Zgjerim të Bashkimi Evropian, Marta Kos, për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri kanë nxitur debat politik, pasi ajo vlerësoi punën e SPAK dhe theksoi se hetimet ndaj zyrtarëve të lartë po monitorohen nga afër në Bruksel.
Duke folur në një forum ndërkombëtar, Kos u ndal edhe te rasti i ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilin tha se është nën vëzhgim të vazhdueshëm nga institucionet evropiane. Ajo theksoi se është “normale” që organet e drejtësisë të zbulojnë raste korrupsioni dhe se thelbësor mbetet reagimi institucional ndaj tyre.
Komisionerja vlerësoi se SPAK po bën “punë të shkëlqyer”, duke e cilësuar këtë si një sinjal pozitiv për reformat në drejtësi dhe rrugën evropiane të Shqipërisë.
Megjithatë, deklaratat e saj për korrupsionin – ku theksoi se fenomeni nuk lidhet vetëm me ligjet, por edhe me mendësinë e shoqërisë – shkaktuan reagim të menjëhershëm nga opozita. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e kritikoi ashpër këtë qëndrim, duke e cilësuar si fyes për qytetarët shqiptarë dhe duke akuzuar se përgjegjësia për korrupsionin nuk mund t’i faturohet shoqërisë.
Debati vjen në një moment të ndjeshëm politik në Shqipëri, ku çështjet e korrupsionit dhe pavarësisë së drejtësisë mbeten në qendër të diskutimeve për integrimin evropian.
Në të njëjtën kohë, Marta Kos bëri thirrje që vetë BE-ja të gjejë mënyra më të shpejta dhe më fleksibile për zgjerimin, duke sinjalizuar se procesi i anëtarësimit mund të kërkojë qasje të reja në vitet në vijim.

