Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka reaguar publikisht lidhur me përdorimin e xhamave të errët në automjete, duke theksuar se kjo çështje është e rregulluar qartë me legjislacionin në fuqi.
Sipas njoftimit, përdorimi i xhamave të errët lejohet vetëm për automjetet që janë të prodhuara si të tilla nga vetë prodhuesi. Ndërkaq, vendosja e folieve (letrave) të errëta ngjitëse për hijezim të xhamave është e ndaluar, përveç rasteve të veçanta që mund të lejohen vetëm me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme, pas një kërkese të arsyetuar dhe dokumentacioni përkatës.
MPB ka bërë të ditur se kjo çështje rregullohet me Ligjin Nr. 05/L-132 për Automjete dhe Udhëzimin Administrativ (MPB) Nr. 12/2024, konkretisht me nenin 7, i cili përcakton qartë dispozitat përkatëse.
Po ashtu, më 24 shkurt 2026, Departamenti Ligjor i MPB-së ka dhënë një opinion ligjor shtesë, ku konfirmohet se këto dispozita janë të qarta dhe detyruese për zbatim.
Ministria ka paralajmëruar se çdo interpretim apo praktikë që bie në kundërshtim me këto rregulla nuk ka bazë ligjore dhe dëmton zbatimin e njëtrajtshëm të ligjit.
Sipas MPB-së, këto masa janë vendosur për të rritur sigurinë në trafik, për të lehtësuar kontrollin nga organet e rendit dhe për të parandaluar aktivitetet e paligjshme.
Në fund, MPB u ka bërë thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të respektojnë dispozitat ligjore dhe të mos bien pre e keqinformimeve, duke theksuar se çdo shkelje do të trajtohet në përputhje me ligjin në fuqi.

