Edhe pse Irani ka njoftuar rihapjen e plotë të Ngushtica e Hormuzit, liderët evropianë nuk po e ulin vigjilencën. Përkundrazi – po përshpejtojnë planet për një mision shumëkombësh “mbrojtës” për të garantuar sigurinë e një prej rrugëve më jetike të tregtisë globale.
Në një samit të mbajtur në Paris, i bashkëdrejtuar nga Emmanuel Macron dhe Keir Starmer, morën pjesë përfaqësues nga 49 vende, ku u diskutua krijimi i një operacioni neutral për mbrojtjen e transportit detar.
Frika nuk ka ikur
Pavarësisht armëpushimit dhe hapjes së ngushticës, mesazhi i Evropës është i qartë: “Nuk mjafton një premtim – duhet garanci reale.”
Macron e përshëndeti zhvillimin si hap në drejtimin e duhur, por theksoi se kalimi duhet të mbetet i lirë dhe pa kushte. Ai kundërshtoi çdo ide për ta kthyer Hormuzin në një rrugë me pagesë apo të kontrolluar politikisht.
Nga ana tjetër, Starmer paralajmëroi se situata mbetet e brishtë dhe kërkon përgatitje konkrete ushtarake “sapo kushtet ta lejojnë”.
Një Evropë që po vepron më vete
Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, të cilat vazhdojnë bllokadën ndaj porteve iraniane sipas deklaratave të Donald Trump, vendet evropiane kanë zgjedhur një qasje më të kujdesshme.
Ata refuzojnë të përfshihen në operacione që mund të interpretohen si pjesëmarrje në luftë, duke e theksuar natyrën “mbrojtëse dhe neutrale” të misionit.
Rreziku global është real
Giorgia Meloni paralajmëroi se kriza nuk prek vetëm energjinë, por edhe sigurinë ushqimore globale, ndërsa Friedrich Merz ngriti alarmin për një “luftë globale shumëdimensionale” nëse situata del jashtë kontrollit.
Gjermania ka lënë të hapur mundësinë për të kontribuar me operacione për pastrimin e minave detare.
Pse ka kaq shumë panik?
Sepse realiteti është brutal: rreth 20% e naftës dhe gazit botëror kalon përmes Hormuzit. Çdo ndërprerje – qoftë edhe disa ditë – trondit tregjet, rrit çmimet dhe paralizon ekonomitë.
Pas javësh tensioni, anije të bllokuara dhe mbi 20,000 detarë të mbetur në rajon, Evropa nuk po rrezikon më.
Mesazhi është i qartë:
Ngushtica mund të jetë rihapur… por besimi ende jo.

