Një raport i përbashkët i Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ka vlerësuar se dëmet totale në Gaza pas dy vitesh luftë arrijnë në rreth 71.4 miliardë dollarë, duke e kthyer territorin në një nga zonat më të shkatërruara në botë.
Sipas dokumentit, vetëm për 18 muajt e parë do të nevojiten rreth 26.3 miliardë dollarë për të rikthyer shërbimet bazë, rindërtuar infrastrukturën dhe për të nisur rimëkëmbjen ekonomike.
Raporti thekson se dëmet në infrastrukturë kapin vlerën e 35.2 miliardë dollarëve, ndërsa humbjet ekonomike dhe sociale arrijnë në 22.7 miliardë dollarë. Sektorët më të goditur janë strehimi, shëndetësia, arsimi, tregtia dhe bujqësia.
Konflikti në Gaza shpërtheu pas sulmit të Hamas ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ku humbën jetën mbi 1,200 persona në Izrael. Si kundërpërgjigje, ofensiva izraelite ka shkaktuar mbi 72,000 viktima në Gaza, shumica civilë, sipas të dhënave që konsiderohen të besueshme nga OKB-ja.
Shifrat e raportit janë alarmante: mbi 371 mijë banesa janë shkatërruar ose dëmtuar, më shumë se gjysma e spitaleve nuk funksionojnë, ndërsa pothuajse të gjitha shkollat janë dëmtuar rëndë ose janë shkatërruar. Ekonomia e Gazës është tkurrur me rreth 84%.
Gjithashtu, rreth 1.9 milionë njerëz janë zhvendosur, shpesh disa herë, ndërsa mbi 60% e popullsisë ka mbetur pa strehë.
Raporti nënvizon se më të prekurit janë grupet më të pambrojtura, përfshirë gratë, fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara, duke paralajmëruar se procesi i rindërtimit do të jetë i gjatë, kompleks dhe do të kërkojë mbështetje të vazhdueshme ndërkombëtare.

