Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e pezullimit të rreth 1.5 miliardë eurove fonde për Serbinë, për shkak të shqetësimeve në rritje lidhur me sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit.
Paralajmërimi është bërë nga Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, e cila theksoi para eurodeputetëve se zhvillimet e fundit në Beograd janë alarmante.
Sipas saj, ndryshimet ligjore të miratuara në janar rrezikojnë të dobësojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të krijojnë një autonomi të gabuar për prokurorinë anti-korrupsion.
“Jemi gjithnjë e më të shqetësuar për atë që po ndodh në Serbi – nga ligjet që minojnë gjyqësorin deri te shtypja e protestave dhe ndërhyrjet në median e pavarur,” deklaroi Kos.
Si vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2012, Serbia përfiton fonde për të mbështetur reformat, por procesi i integrimit është ngadalësuar për shkak të zhvillimeve të fundit politike dhe lidhjeve të saj me Rusinë.
Situata është tensionuar edhe më tej pas protestave antiqeveritare dhe anti-korrupsion që nisën në fund të vitit 2024, si dhe për shkak të refuzimit të Beogradit për t’u harmonizuar me politikën e jashtme të BE-së, veçanërisht lidhur me sanksionet ndaj Moskës.
Komisioni Evropian është në pritje të opinionit të Komisioni i Venecias mbi reformat gjyqësore, i cili pritet në javët e ardhshme.
Megjithatë, BE-ja thekson se mbështet rrugën evropiane të Serbisë, por kërkon që autoritetet të përmbushin standardet demokratike, të garantojnë pavarësinë e mediave dhe të harmonizojnë ligjet me rekomandimet ndërkombëtare.

