Pas gati një viti në krye të Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Bursave (SEC), drejtuesi Paul Atkins po shtyn një qasje të re më të hapur ndaj kriptovalutave, duke sinjalizuar një kthesë të fortë nga politikat e mëparshme rregullatore.
Në një intervistë për CNBC, Atkins theksoi se objektivi i tij është të “avancojë, sqarojë dhe transformojë” rregullimin e aseteve dixhitale, duke braktisur qasjen e mëparshme të bazuar në ndëshkim dhe duke inkurajuar inovacionin.
“Ne nuk po i largojmë më këto teknologji – po i përqafojmë dhe po përpiqemi t’i rikthejmë në SHBA”, u shpreh ai.
Kjo qasje vjen në kontrast me periudhën e ish-kreut Gary Gensler, gjatë së cilës SEC kishte ndërmarrë një linjë më të ashpër ndaj industrisë së kriptove, duke ngritur procese gjyqësore ndaj kompanive të mëdha.
Në kuadër të kësaj strategjie të re, është lançuar edhe “Projekti Kripto”, që synon modernizimin e rregullave dhe krijimin e një strukture më të qartë për tregun e aseteve dixhitale.
Megjithatë, ndërsa hapja ndaj kriptove po rritet, shqetësimet janë zhvendosur drejt një tjetër fushe: tregjet e parashikimeve. Platforma si Polymarket dhe Kalshi po fitojnë popullaritet, duke lejuar përdoruesit të vendosin baste mbi ngjarje politike, ekonomike dhe sportive.
Kjo rritje ka alarmuar rregullatorët dhe ligjvënësit, të cilët paralajmërojnë për rrezikun e manipulimit të tregut dhe tregtimit të brendshëm, sidomos në lidhje me deklaratat politike apo vendimet qeveritare.
Vetë Atkins pranoi se kjo fushë është “shqetësuese” dhe konfirmoi se autoritetet, përfshirë Departamentin e Drejtësisë dhe rregullatorë të tjerë, janë duke e monitoruar nga afër situatën.
Ndërsa SHBA po përpiqet të bëhet një qendër globale për inovacionin në kriptovaluta, sfida mbetet balancimi mes lirisë së tregut dhe mbrojtjes nga abuzimet – një vijë e hollë që mund të përcaktojë të ardhmen e industrisë.

