Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, ku në fokus ishte bashkëpunimi strategjik dhe çështjet e sigurisë në rajon.
Gjatë takimit, Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë si jetike për zhvillimin dhe sigurinë e vendit.
Ai theksoi se partneriteti mes dy vendeve po forcohet përmes trajnimeve dhe rritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke e bërë Kosovën një faktor më të qëndrueshëm në rajon.
Kryeministri vuri në dukje rëndësinë e pranisë së NATO në Kosovë, veçanërisht rolit të SHBA-së, si garantues i paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Ai nënvizoi se përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të ishte një hap strategjik për sigurinë afatgjatë.
Në diskutim u trajtua edhe situata e sigurisë në rajon, ku Kurti paralajmëroi për, siç u shpreh, politika destabilizuese të Serbisë, duke përmendur mbështetjen nga Rusia dhe Kina, si dhe armatosjen e saj të fundit.
Sipas Kurtit, këto zhvillime përbëjnë rrezik për stabilitetin rajonal dhe kërkojnë një përgjigje të koordinuar nga aleatët ndërkombëtarë.

