Procesi i zgjerimit të Bashkimi Evropian po merr një shtysë të re, me Shqipërinë dhe Malin e Zi që konsiderohen si vendet më të avancuara në rrugën drejt anëtarësimit.
Gjatë një takimi në Athina, Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos theksoi zhvillimet pozitive në këto vende, duke i cilësuar ato si pararojë të procesit në Ballkanin Perëndimor.
Ajo zhvilloi bisedime me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis dhe ministrin e Jashtëm Giorgos Gerapetritis, ku u konfirmua se Greqia do të luajë rol kyç në avancimin e zgjerimit gjatë presidencës së saj të ardhshme të Këshillit të BE-së.
Në fokus të diskutimeve ishte jo vetëm progresi i Shqipërisë dhe Malit të Zi, por edhe perspektiva më e gjerë për rajonin, si dhe zhvillimet që përfshijnë Ukrainën dhe Moldavinë.
Zyrtarët grekë theksuan angazhimin për të shtyrë përpara këtë proces në një moment që konsiderohet kritik për të ardhmen e Evropës.
Mesazhi nga Athina është i qartë: dera e BE-së nuk është e mbyllur për Ballkanin – por rruga drejt saj kërkon ritëm, reforma dhe… durim.

