Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se siguria ushqimore mbetet një nga sfidat më të ndërlikuara në procesin e integrimit të vendit në Bashkimi Evropian.
Në podkastin e tij “Flasim”, Rama u ndal te rëndësia e garantimit të cilësisë së produkteve ushqimore, duke theksuar se objektivi nuk është vetëm mbrojtja e konsumatorit vendas, por edhe përgatitja për konkurrencë në tregun e përbashkët europian.
Sipas tij, sfida kryesore qëndron në ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm që përfshin gjithë zinxhirin ushqimor – nga prodhimi në bujqësi e blegtori, deri te përpunimi dhe paketimi i produkteve.
Rama nënvizoi se procesi i integrimit shpesh keqkuptohet si thjesht përmbushje e disa rregullave formale, ndërkohë që në thelb kërkon krijimin e një sistemi funksional të kontrollit, cilësisë dhe besimit në çdo hallkë të prodhimit.
Ai shtoi se Shqipëria nuk duhet të fokusohet vetëm në harmonizimin e legjislacionit me standardet europiane, por mbi të gjitha në zbatimin real të tyre në praktikë.
Në këtë drejtim, kryeministri theksoi se institucionet do të rrisin bashkëpunimin me sipërmarrësit në sektorin e bujqësisë dhe industrisë ushqimore, me synim që produktet shqiptare të jenë jo vetëm të sigurta, por edhe konkurruese në tregun europian deri në synimin për anëtarësim në vitin 2030.

