Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar masa të reja ndëshkuese ndaj kompanive që bashkëpunojnë me linjat ajrore iraniane, në kuadër të rritjes së presionit ekonomik ndaj Irani.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se çdo biznes që ofron shërbime për kompanitë ajrore të sanksionuara iraniane rrezikon të përballet me sanksione amerikane.
“Të bësh biznes me linjat ajrore iraniane të sanksionuara mbart rrezikun e ekspozimit ndaj sanksioneve të SHBA-së”, tha ai.
Paralajmërim për kompanitë dhe qeveritë
Sipas Scott Bessent, masat mund të prekin një gamë të gjerë shërbimesh, përfshirë furnizimin me karburant, mirëmbajtjen teknike, shërbimet e aeroportit dhe furnizimin me ushqim për avionët.
Ai u bëri thirrje edhe qeverive të huaja që të ndërmarrin hapa konkretë për të parandaluar që kompanitë nën juridiksionin e tyre të bashkëpunojnë me subjektet iraniane.
Fluturimet rifillojnë në Teheran
Paralajmërimi vjen pasi mediat shtetërore në Irani raportuan se fluturimet komerciale nga Aeroporti Ndërkombëtar i Teheranit janë rifilluar për herë të parë që nga nisja e konfliktit.
Presion i shtuar ekonomik
Departamenti i Thesarit i SHBA-së theksoi se nuk do të hezitojë të ndërmarrë veprime edhe ndaj palëve të treta që lehtësojnë apo zhvillojnë aktivitet ekonomik me entitetet iraniane.
Ky zhvillim sinjalizon një fazë të re të presionit ekonomik nga Uashingtoni, duke zgjeruar fokusin nga sanksionet direkte ndaj Iranit edhe te partnerët ndërkombëtarë që mund të bashkëpunojnë me të.

