Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës pritet të vazhdojë sot në orën 10:00, pasi mbrëmë u ndërpre për mungesë kuorumi, në një klimë të tensionuar politike dhe me akuza të ndërsjella për shkelje kushtetuese.
Në raundin e parë të votimit morën pjesë 64 deputetë. Kandidatja Feride Rushiti siguroi 63 vota, ndërsa një votë rezultoi e pavlefshme. Kandidatja tjetër, Hatixhe Hoxha, nuk mori asnjë votë.
Pushteti: Procesi është i ligjshëm
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, deklaroi se propozimi i dy kandidateve erdhi për shkak të mungesës së alternativave nga opozita.
Sipas saj, seanca kishte kuorum për nisje, pasi ishte thirrur me mbi 40 nënshkrime dhe në sallë ishin të pranishëm më shumë se 61 deputetë.
“U pa që zonja Feride Rushiti kishte mbështetje të qartë nga deputetët e pranishëm”, tha Nagavci, duke ftuar opozitën të marrë pjesë në vazhdim të procesit.
Opozita: “Puç kushtetues”
Nga ana tjetër, opozita e ka cilësuar procesin si të paligjshëm. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e quajti situatën “puç kushtetues”.
Ai insistoi se për votimin kërkohet prania e 80 deputetëve në sallë, duke argumentuar se procedura e ndjekur bie ndesh me Kushtetutën.
Kritika të ashpra erdhën edhe nga kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili e cilësoi situatën si “pa precedent, jodemokratike dhe antikushtetuese”.
Sipas tij, zgjedhja e presidentit duhet të vijë përmes një marrëveshjeje politike, duke bërë të ditur se LDK ka siguruar 15 nënshkrime për kandidatin e saj.
Ndërkohë, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e përshkroi seancën si “sulm ndaj Kushtetutës” dhe “tentim për grusht-shtet”.
Afat i kufizuar kohor
Procesi për zgjedhjen e presidentit po zhvillohet nën presion kohor, pasi vendi duhet të zgjedhë kreun e ri të shtetit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Vazhdimi i seancës sot pritet të jetë vendimtar për rrjedhën e procesit, ndërsa mbetet e paqartë nëse palët do të arrijnë kompromis apo përplasjet do të thellohen edhe më tej.

