Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, duke deklaruar se me përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit është shmangur një shkelje e rëndë e Kushtetutës.
Në një komunikatë për media, PDK vlerëson se përpjekjet për të imponuar një proces të njëanshëm dhe jashtë kornizës kushtetuese kanë dështuar, ndërsa sipas saj janë mbrojtur institucionet dhe rendi kushtetues i Kosovës.
Partia opozitare ka akuzuar pushtetin aktual si përgjegjësin kryesor për krizën politike, duke përmendur, sipas saj, keqqeverisjen, krizën ekonomike dhe mungesën e përgjegjësisë ndaj qytetarëve.
PDK ka kërkuar që ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, të caktojë datën e zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese, duke garantuar një proces të lirë dhe demokratik.
Në fund, kjo parti u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme dhe përmes votës të refuzojnë, siç u shpreh, “logjikën e përçarjes dhe bllokadës”.
Me këtë zhvillim, vendi hyn zyrtarisht në një cikël të ri zgjedhor, ndërsa përplasjet politike mes pozitës dhe opozitës mbeten të thella.

