Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, duke deklaruar se vendi po shkon në zgjedhje për shkak të, sipas tij, kërkesave të mazhorancës për nënshtrim politik.
Në një postim publik, Abdixhiku theksoi se LDK ka ofruar bashkëpunim në disa raste gjatë procesit për zgjedhjen e presidentit, por sipas tij, këto përpjekje janë refuzuar.
“Kërkuan konsensus, ua dhamë. Kërkuan emra, propozuam Vjosa Osmani. Kërkuan nënshkrime, ua dhamë 15. Në fund kërkuan nënshtrim – këtë s’mund ta kishin,” u shpreh ai.
Sipas Abdixhikut, dallimi mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje qëndron në qasjen ndaj institucionit të presidentit, duke theksuar se LDK e sheh këtë post si përfaqësues të dinjitetshëm të Republikës dhe jo si numër për të siguruar votat.
Ai shtoi se vendimi për të shkuar në zgjedhje do t’i lihet në dorë qytetarëve, duke i ftuar ata të japin verdiktin e tyre për situatën politike në vend.
“Ky dallim do ta vulosë populli i Kosovës,” theksoi Abdixhiku.
Deklarata e tij vjen në një moment të thellimit të krizës politike në Kosovë, pas dështimit për zgjedhjen e presidentit dhe shpërndarjes automatike të Kuvendit, çka e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja brenda afateve kushtetuese.

