Pas dështimit për zgjedhjen e presidentit të Kosovë, kryeministri Albin Kurti ka mbajtur konferencë për media së bashku me kandidaten për presidente, Feride Rushiti.
Edhe pse nuk arriti të zgjidhet në krye të shtetit, Rushiti u paraqit në foltoren e presidencës në Kuvend, ku theksoi se kandidatura e saj nuk kishte të bënte me ambicie personale.
Ajo deklaroi se kishte pranuar kandidimin me synimin për të ndihmuar në tejkalimin e krizës politike dhe stabilizimin e institucioneve në vend.
“Pranova këtë kandidim për hir të një qëllimi të mirë, stabilizimin e institucioneve dhe ecjen e Kosovës përpara. Nuk ka qenë ambicie për pushtet, por një kontribut i sinqertë për vendin tim si person apartiak,” u shpreh Rushiti.
Duke folur për paraqitjen nga ambientet e presidencës, ajo theksoi se vjen nga shoqëria civile dhe jo nga politika aktive, duke shtuar se kandidatura e saj ishte përzgjedhur në një moment të nevojës për zgjidhje.
E pyetur nëse kishte ndjerë se emri i saj ishte pjesë e kalkulimeve politike, Rushiti e mohoi një gjë të tillë, duke thënë se kishte vlerësuar situatën si një mundësi për të qenë figurë unifikuese.
“Asnjë moment nuk e kam ndjerë që jam pjesë e kalkulimeve. I kam parë të gjitha mundësitë e konsumuara dhe e kam parë veten si një person që mund të jetë unifikues,” deklaroi ajo.
Zhvillimet vijnë pasi Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues, duke çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.

