Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar zyrtarisht se Nick Stewart i është bashkuar ekipit negociator amerikan që po punon për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, në një moment delikat për zhvillimet gjeopolitike.
Në deklaratën zyrtare, zëdhënësja Olivia Wales e përshkroi Stewart si një figurë me përvojë të theksuar në politikën e jashtme dhe çështjet që lidhen me Iranin, duke e cilësuar një shtesë të rëndësishme për ekipin që udhëhiqet nga i dërguari special Steve Witkoff.
Sipas saj, Stewart sjell përvojë të gjerë nga puna e mëhershme në Departamentin amerikan të Shtetit gjatë administratës së parë të Donald Trump, si dhe nga angazhimi i tij në Kapitol, ku ka qenë pjesë e proceseve vendimmarrëse në politikën e jashtme.
Burime amerikane bëjnë të ditur se ai është rekrutuar nga Jared Kushner dhe ka qenë i lidhur me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë, një organizatë që njihet për qasje të ashpër ndaj Iranit dhe mbështetje për presion të shtuar, përfshirë edhe opsione ushtarake.
Ky emërim vjen në një kohë kur negociatat me Iranin mbeten të ndërlikuara dhe me tensione të larta, ndërsa SHBA synon të arrijë një marrëveshje që do të stabilizonte situatën në rajon dhe do të shmangte përshkallëzimin e mëtejmë të konfliktit.

