Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësim për bllokadën e vazhdueshme politike në Kosovë, duke paralajmëruar për pasojat që kjo situatë mund të ketë në funksionimin e institucioneve.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit theksoi se kriza aktuale po dëmton besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore, ndërsa bëri thirrje për bashkëpunim mes partive politike.
“Do të donim të shihnim të gjitha grupet politike të punojnë së bashku për interesat më të mira të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagim.
Kriza politike çoi në shpërndarjen automatike të Kuvendit, pasi nuk u arrit zgjedhja e presidentit brenda afatit kushtetues, duke detyruar vendin të shkojë në zgjedhje të parakohshme më 7 qershor.
Situata ka thelluar përplasjet politike, ku pushteti dhe opozita fajësojnë njëra-tjetrën për bllokadën, ndërsa analistët paralajmërojnë për rrezikun e një cikli të gjatë krizash, të ngjashëm me atë të Bullgarisë.
Përveç ndikimit politik, kriza po rëndon edhe buxhetin e shtetit dhe po ngadalëson vendimmarrjen në institucionet kyçe.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procedurat për organizimin e zgjedhjeve, me një kosto prej mbi 10 milionë euro, ndërsa fushata zgjedhore do të zhvillohet nga 28 maji deri më 7 qershor.
Mesazhi nga SHBA është i qartë: pa bashkëpunim politik, stabiliteti institucional mbetet në rrezik.Burimi: REL.

