Inter është shpallur kampion i Italisë për herën e 21-të në histori, pasi mposhti me rezultatin 2-0 Parma dhe siguroi matematikisht titullin në Serie A. Zikaltërit kurorëzojnë kështu një sezon të dominuar, ku për pjesën më të madhe të kampionatit mbajtën vendin e parë, duke zbritur nga froni kampionët në fuqi të Napoli. Skuadra e drejtuar nga Cristian Chivu arrin një sukses të veçantë, pasi trajneri rumun e fiton titullin si ish-lojtar dhe tani edhe nga pankina. Në sfidën vendimtare, Interi tregoi epërsi të plotë, duke kaluar në avantazh në fundin e pjesës së parë me golin e Marcus Thuram në minutën 45+1, ndërsa Henrikh Mkhitaryan vulosi fitoren dhjetë minuta para fundit. Festa kishte nisur që para ndeshjes në Milano, me tifozët që krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme, ndërsa pas vërshëllimës finale qyteti u pushtua nga festimet. Ky është titulli i parë që Interi e siguron matematikisht në shtëpi përpara tifozëve pas vitit 1989, kur skuadra drejtohej nga Giovanni Trapattoni. Me këtë sukses, Interi ngjitet në kuotën e 21 titujve kampion, duke lënë pas AC Milan me 19, ndërsa rekordin historik vazhdon ta mbajë Juventus me 36 trofe.
Interi shpallet kampion i Italisë për herën e 21-të në histori
Please login to join discussion

