Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka bërë të ditur se të hënën, më 4 maj 2026, do të realizohen punime në rrjetin energjetik, të cilat do të shkaktojnë ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike në disa rajone të vendit.
Sipas njoftimit, ndërprerjet do të ndodhin për shkak të mirëmbajtjes preventive, projekteve investive dhe ndërhyrjeve teknike për sigurinë e sistemit.
Në rajonin e Prishtinës, ndërprerje do të ketë në disa zona si Mramor, Slivovë, Busia, Zllashë dhe rrugë të ndryshme në qytet, në intervale të ndryshme kohore nga ora 08:30 deri në 18:00.
Ndërkohë, në Pejë, pa energji do të mbesin zonat e Bletarisë, Pushimorja e Fëmijëve dhe fshati Hulaj nga ora 10:00 deri në 15:00.
Në Prizren, ndërprerje do të ketë në disa lagje të qytetit dhe në Mamushë, ndërsa në Ferizaj, punimet investive do të prekin disa rrugë kryesore dhe fshatra përreth, me ndërprerje që zgjasin deri në 18:00.
Edhe në rajonin e Mitrovicës, përkatësisht në Vushtrri, disa zona do të mbesin pa energji për shkak të zëvendësimit të pajisjeve elektrike.
KEDS ka apeluar te qytetarët për mirëkuptim, duke theksuar se këto punime janë të domosdoshme për rritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike në të gjithë vendin.

