Një incident me të shtëna armësh pranë White House ka shkaktuar alarm në Uashington, duke detyruar autoritetet të vendosin për rreth 20 minuta në gjendje lockdown rezidencën presidenciale, ku në atë moment ndodhej edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Sipas raportimeve, të shtënat janë dëgjuar disa blloqe larg ndërtesës, ndërsa agjentët e United States Secret Service reaguan menjëherë duke larguar gazetarët nga ambientet e jashtme dhe duke i zhvendosur në sallën e konferencave për shtyp, si masë sigurie.
Autoritetet konfirmuan se një person është neutralizuar nga forcat e rendit gjatë incidentit, ndërsa gjendja e tij shëndetësore mbetet ende e paqartë. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Rrugës së 15-të dhe Avenue Independence në Uashington, ku një oficer ka qenë i përfshirë në shkëmbimin e zjarrit.
Shkaqet dhe rrethanat e incidentit nuk janë bërë ende të ditura, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht ngjarjen dhe për të përcaktuar motivet e mundshme.

