Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka njoftuar një armëpushim të njëanshëm dy-ditor në Ukrainë më 8 dhe 9 maj, në kuadër të festimeve për Ditën e Fitores, që përkujton triumfin ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, vendimi është marrë nga vetë Putin si komandant suprem i forcave të armatosura dhe parashikon ndalimin e operacioneve ushtarake gjatë këtyre dy ditëve. Megjithatë, Moska ka paralajmëruar se çdo tentativë nga Ukraina për të ndërprerë armëpushimin do të pasohet me një reagim të ashpër, duke përfshirë sulme masive me raketa në qendër të Kievit.
Nga ana tjetër, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, e ka refuzuar ashpër këtë propozim, duke e cilësuar atë “cinik” dhe “të pandershëm”. Ai theksoi se një armëpushim i përkohshëm për arsye ceremoniale nuk ka kuptim përballë sulmeve të vazhdueshme ndaj qyteteve ukrainase dhe viktimave civile.
“Kjo është lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Nuk mund të ndalesh për një ditë për paradë dhe më pas të vazhdosh vrasjet”, u shpreh Zelensky, duke shtuar se Kievi nuk është informuar zyrtarisht për këtë vendim nga pala ruse.
Tensionet mes dy vendeve mbeten të larta, ndërsa çdo iniciativë për armëpushim të përkohshëm shihet me skepticizëm në Kiev, në mungesë të një marrëveshjeje të qëndrueshme për ndalimin e plotë të luftimeve.

