Antimafia dhe karabinierët italianë kanë goditur një organizatë kriminale italo-shqiptare të përfshirë në trafikun e drogës në rajonin e Napoli, duke ekzekutuar 14 masa sigurie ndaj anëtarëve të dyshuar të klanit famëkeq Di Lauro.
Operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit të 6 majit, pas një hetimi të gjatë të koordinuar nga Drejtoria e Qarkut Antimafia e Napolit. Sipas autoriteteve italiane, gjashtë persona janë dërguar në burg, ndërsa të tjerët janë vendosur në arrest shtëpiak.
Hetimet, të zhvilluara në periudhën 2020–2023 nga Njësia Hetimore e Karabinierëve të Napolit, përfshinë përgjime telefonike, vëzhgime dhe aktivitete të avancuara teknike, përmes të cilave u dokumentua funksionimi i një rrjeti kriminal të lidhur me klanin “Di Lauro”, i drejtuar nga Vincenzo Di Lauro.
Sipas dosjes hetimore, grupi operonte kryesisht në lagjen Secondigliano, por aktiviteti i tij shtrihej edhe në zona të tjera të Napolit. Organizata dyshohet se furnizonte tregun lokal të drogës me sasi të konsiderueshme kokaine dhe hashashi, të cilat, sipas autoriteteve italiane, siguroheshin nga rrjete kriminale shqiptare.
Prokuroria italiane deklaroi se struktura kriminale kishte ndërtuar një sistem të qëndrueshëm për trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, duke përfituar shuma të mëdha parash nga aktiviteti i paligjshëm.
Gjatë operacionit dhe fazave të hetimit, autoritetet arrestuan gjithsej gjashtë persona në flagrancë dhe sekuestruan disa kilogramë kokainë dhe hashash. Hetimet për identifikimin e rrjetit të plotë të furnizimit dhe lidhjeve ndërkombëtare të organizatës vijojnë ende.

