Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se të enjten, më 7 maj 2026, do të realizohen punime të planifikuara për sigurinë dhe mirëmbajtjen e sistemit energjetik, si dhe projekte investive në disa rajone të vendit. Për pasojë, në shumë lokalitete do të ketë ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit të KEDS-it, ndërprerjet do të prekin rajonet e Prishtinës, Pejës, Ferizajt, Mitrovicës, Gjakovës dhe Gjilanit.
Në rajonin e Prishtinës, ndërprerje do të ketë në zona si Grashtica, Radasheci, Bahollët, Tophanja, një pjesë e rrugës “Fehmi Agani”, si dhe zona përreth hotelit “Diamond” dhe bulevardit “Nënë Tereza”. Punimet lidhen me eliminimin e defekteve, ndarjen e kabllove dhe investime në rrjet.
Në Pejë, pa energji elektrike do të mbesin disa fshatra të Klinës, përfshirë Dresnikun, Gllarevën dhe Zabërgjën, për shkak të montimit të një transformatori të ri.
Ferizaj do të jetë një nga rajonet më të prekura, ku ndërprerjet do të përfshijnë Kaçanikun, Varoshin, Bibajn, Sojevën, Talinocin dhe disa lagje të qytetit. Punimet do të realizohen për zhvendosje kabllosh, pastrim traseje dhe projekte infrastrukturore në magjistralen Ferizaj–Kaçanik.
Në Mitrovicë, ndërprerje do të ketë në zonën e Iber Lepencit në Smrekonicë, ndërsa në Gjakovë pa rrymë do të mbesin një numër i madh fshatrash si Babaj Bokës, Mejë, Morinë, Nec, Ponoshec dhe Smolicë, për shkak të punimeve në rrjet dhe pastrimit të trasesë.
Ndërkohë, në rajonin e Gjilanit, ndërprerje disaorëshe do të ketë në dhjetëra fshatra të komunës së Kamenicës, përfshirë Meshinën, Strezocin, Krilevën, Rahovicën dhe Leshtarin, ku do të kryhen intervenime për eliminimin e defekteve dhe mirëmbajtje të rrjetit energjetik.
KEDS u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të planifikojnë aktivitetet e tyre sipas orarit të publikuar, duke kërkuar mirëkuptim për ndërprerjet që, sipas kompanisë, janë të nevojshme për stabilitetin dhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

