Daut Haradinaj u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve në mërgatë që të regjistrohen për votim në zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së diasporës në procesin demokratik në Kosovë.
Përmes një mesazhi publik, Haradinaj u bëri apel qytetarëve që jetojnë jashtë vendit të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, ndërsa rikujtoi se afati për regjistrim mbetet i hapur deri më 17 maj.
“Të nderuar vëllezër e motra në mërgatë, ju ftojmë të bëheni pjesë e ndryshimit për Kosovën. Shfrytëzojeni të drejtën tuaj për të votuar duke u regjistruar për votim, proces që mbetet i hapur deri më 17 maj”, ka shkruar Haradinaj.
Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për kontributin historik të diasporës ndaj Kosovës.
“Mirënjohje e përhershme për angazhimin historik për Kosovën”, thuhet në mesazhin e tij.
Diaspora pritet të ketë rol të rëndësishëm edhe në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa partitë politike kanë intensifikuar thirrjet për mobilizim dhe regjistrim të votuesve jashtë vendit.

