Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar marrëveshjen për garim të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit me Vjosa Osmani.
Vendimi është miratuar gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ku u aprovua unanimisht marrëveshja politike mes partisë dhe Osmanit.
Pas mbledhjes, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se ai do të jetë kandidati i partisë për kryeministër me numrin 2 në listën zgjedhore.
“Në unanimitet të plotë LDK-ja nominoi propozimin dhe vendimin e Kryesisë përmes Këshillit të Përgjithshëm që në garën e ardhshme Vjosa Osmani të jetë kandidate për presidente dhe unë të jem kandidat për kryeministër. Bashkë me ne do të jenë gjithsej 110 kandidatë të LDK-së që propozohen nga degët e partisë dhe jo vetëm”, deklaroi Abdixhiku.
Ai bëri të ditur se listës së përbashkët do t’i shtohen edhe 19 emra të propozuar nga Vjosa Osmani, si pjesë e marrëveshjes politike mes palëve.
Marrëveshja konsiderohet si një nga zhvillimet më të rëndësishme politike para zgjedhjeve të 7 qershorit, duke bashkuar sërish Osmanin me strukturat e LDK-së pas përçarjeve të viteve të kaluara.

