Konflikti i zgjatur mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani po nxjerr në pah dobësi serioze ushtarake dhe strategjike të Uashingtonit, ndërsa Kina po vëzhgon nga afër çdo lëvizje për të përfituar në rivalitetin global me SHBA-në.
Sipas zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve amerikanë të mbrojtjes, Pekini po studion me kujdes mënyrën se si ushtria amerikane operon në konfliktin me Teheranin, duke analizuar taktikat, përdorimin e raketave, inteligjencën ushtarake dhe dobësitë operative të Pentagonit.
Takimi i ardhshëm mes Donald Trump dhe Xi Jinping vjen në një moment delikat për SHBA-në, e cila ndodhet në një armëpushim të brishtë me Iranin dhe përballet me presion politik të brendshëm dhe zhgënjim nga aleatët.
Një ish-zyrtar amerikan i mbrojtjes tha se Kina po e sheh situatën si provë se arsenali dhe kapacitetet amerikane nuk janë të pakufizuara.
“Kinezët do të kishin të drejtë të pyesnin: ‘Çfarë ju ka mbetur për të ndërtuar mbrojtje?’”, tha ai.
Sipas raportimeve, Pekini ka vërejtur vështirësitë e SHBA-së për të garantuar sigurinë në Ngushticën e Hormuzit, rrugë strategjike për rreth 20 për qind të furnizimit global me naftë. Po ashtu, Kina po monitoron zhvendosjen e anijeve luftarake, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe trupave amerikane nga Indo-Paqësori drejt Lindjes së Mesme.
Një zyrtar amerikan i mbrojtjes deklaroi se ushtria kineze po studion nga afër operacionet amerikane kundër Iranit për të kuptuar mënyrën e planifikimit dhe ekzekutimit të sulmeve.
Ndërkohë, ekspertët vlerësojnë se Kina mund të përdorë taktika të ngjashme me Iranin në një konflikt të mundshëm në të ardhmen, sidomos përmes përdorimit masiv të raketave dhe dronëve për të mbingarkuar sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore.
Ekspertja e strategjisë së mbrojtjes, Becca Wasser, tha se arsenali raketor i Kinës është shumë më i madh se ai i Iranit dhe Pekini mund të përdorë raketat në mënyrë të ngjashme me përdorimin e dronëve nga Teherani.
“Ata nuk kanë nevojë për dronë për të mbingarkuar radarët dhe mbrojtjen ajrore amerikane”, tha ajo.
Megjithatë, edhe Kina përballet me probleme të brendshme. Ushtria kineze nuk ka marrë pjesë në një luftë që nga viti 1979, ndërsa prej vitit 2022 Pekini ka zhvilluar një spastrim të madh në radhët ushtarake, duke larguar mbi 100 zyrtarë të lartë për korrupsion dhe abuzime.
Pavarësisht kësaj, analistët theksojnë se Kina prej dekadash studion mënyrën amerikane të luftës, duke filluar nga Operacioni “Desert Storm” në Irak, e deri te përdorimi modern i luftës elektronike, sulmeve kibernetike dhe raketave precize.
Një tjetër ish-zyrtar amerikan paralajmëroi se çdo raketë e përdorur nga SHBA-ja në Lindjen e Mesme është një raketë më pak për frenimin e Kinës në Indo-Paqësor.
“Ata e dinë se çdo raketë e përdorur në Iran është një raketë që nuk mund të përdoret për të penguar Kinën”, tha ai. Burimi: Politico

