Gerhard Schröder dikur ishte simbol i modernizimit të Gjermania dhe një nga figurat më të fuqishme të socialdemokracisë evropiane. Sot, ai konsiderohet një figurë e izoluar politikisht për shkak të lidhjes së tij të ngushtë me Vladimir Putin.
Në një profil të gjatë të publikuar nga gazeta italiane Corriere della Sera, Schröder përshkruhet si politikani që pas largimit nga pushteti kaloi praktikisht në shërbim të Kremlinit, duke u bërë lobisti më i rëndësishëm gjerman për interesat ruse në Evropë.
Nga kancelar reformator në aleat të Putinit
Schröder udhëhoqi Gjermaninë nga viti 1998 deri në vitin 2005, në koalicion me të Gjelbrit. Gjatë qeverisjes së tij ai realizoi reforma të mëdha sociale dhe ekonomike, përfshirë modernizimin e sistemit social, reformën e shtetësisë dhe largimin gradual nga energjia bërthamore.
Ai gjithashtu mbështeti ndërhyrjen e NATO-s në Kosova më 1999 dhe operacionin në Afganistan, por kundërshtoi luftën amerikane në Irak.
Megjithatë, figura e tij ndryshoi rrënjësisht pas largimit nga kancelaria. Vetëm pak javë pasi ia dorëzoi pushtetin Angela Merkel, Schröder pranoi ofertën e Putinit për të drejtuar projektin energjetik Nord Stream.
“Dua të bëj para”
Sipas artikullit, Schröder kishte deklaruar që para largimit nga politika se dëshironte të fitonte para pas mandatit si kancelar.
“Dua të bëj para”, kishte thënë ai në vitin 2004.
Ai më vonë mori role të paguara në kompanitë ruse të energjisë, përfshirë Rosneft, nga ku përfitonte qindra mijëra euro në vit.
Izolimi politik në Gjermani
Pas nisjes së luftës në Ukrainë, Schröder u bë një figurë e papranueshme për shumicën e establishmentit gjerman. Atij iu hoqën privilegjet shtetërore që zakonisht gëzojnë ish-kancelarët dhe u margjinalizua brenda SPD.
Megjithatë, ai kurrë nuk u distancua plotësisht nga Putini dhe vazhdoi ta përshkruante presidentin rus si:
“Njeriun e vetëm që mund t’i japë fund luftës”.
Kjo deklaratë u rikthye sërish në vëmendje pasi vetë Putini e përmendi Schröderin si figurën e preferuar për negociata me Evropën mbi Ukrainën.
Një marrëdhënie personale dhe politike
Artikulli thekson se lidhja mes Schröderit dhe Putinit ka qenë edhe personale. Të dy vinin nga familje të varfra dhe ndanin histori të ngjashme ngritjeje politike.
Schröder nuk e njohu kurrë babanë e tij, i cili vdiq gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa u rrit nga një nënë që punonte si pastruese. Ai studioi natën dhe punoi ditën para se të diplomohej për drejtësi dhe të hynte në politikë.
Pavarësisht kritikave të shumta, ish-kancelari gjerman ka refuzuar vazhdimisht të kërkojë falje për marrëdhënien e tij me Putinin, duke mbetur një nga figurat më kontraverse të politikës moderne gjermane.Burimi: Corriere della Serra

