Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, i është bashkuar në momentet e fundit delegacionit të Presidentit amerikan Donald Trump për samitin e shumëpritur me presidentin kinez Xi Jinping, duke nxitur spekulime të forta se çështja e eksporteve të çipave të inteligjencës artificiale mund të jetë pjesë kyçe e negociatave.
Sipas raportimeve, Huang u ngjit në Air Force One mbrëmjen e së martës, megjithëse emri i tij nuk figuronte në listën fillestare të drejtuesve të mëdhenj të teknologjisë të ftuar në samitin SHBA-Kinë.
Në mesin e emrave të konfirmuar më herët ishin Elon Musk nga Tesla, Tim Cook nga Apple dhe Cristiano Amon nga Qualcomm.
Një zëdhënës i Nvidia-s konfirmoi pjesëmarrjen e Huang, duke deklaruar se ai është ftuar personalisht nga presidenti Trump.
“Jensen po merr pjesë në samit me ftesë të Presidentit Trump për të mbështetur Amerikën dhe objektivat e administratës”, thuhet në deklaratë.
Ftesa e minutës së fundit vjen pasi media amerikane raportoi se Huang ishte lënë jashtë delegacionit zyrtar, çka shkaktoi reagim të menjëhershëm nga vetë Trump.
“Jensen Huang i madh i Nvidia-s është aktualisht në Air Force One. Raportimet se nuk ishte i ftuar janë të pasakta, ose siç themi në politikë, LAJME TË RREME”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
Prania e kreut të Nvidia-s shihet si zhvillim me peshë strategjike, pasi kompania është në qendër të debatit global për eksportin e teknologjisë së avancuar drejt Kinës.
Huang ka lobuar prej kohësh në administratën amerikane për lehtësimin e kufizimeve mbi eksportin e gjysmëpërçuesve të avancuar për inteligjencën artificiale. Vitin e kaluar, administrata amerikane lejoi shitjen e çipave H200 të Nvidia-s në tregun kinez, një vendim që ngjalli kritika nga qarqe politike dhe ekspertë të sigurisë kombëtare.
Kundërshtarët e këtij vendimi argumentojnë se qasja e Kinës në teknologji të avancuar amerikane mund t’i japë Pekinit avantazh strategjik në garën globale për inteligjencën artificiale.
Samiti Trump-Xi pritet të fokusohet jo vetëm te marrëdhëniet tregtare, por edhe te tensionet gjeopolitike, teknologjia, Ukraina dhe Lindja e Mesme.

