Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mbërritur në Pekin për një takim të rëndësishëm me presidentin kinez Xi Jinping, në një moment tensionesh të larta globale që përfshijnë konfliktin në Lindjen e Mesme, luftën në Ukrainë dhe raportet tregtare SHBA-Kinë.
Trump udhëton i shoqëruar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ndërsa në fokus të bisedimeve pritet të jenë zhvillimet gjeopolitike dhe përpjekjet për një marrëveshje më të qëndrueshme ekonomike mes dy fuqive botërore.
Paralelisht me vizitën në Kinë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar një shpërblim deri në 15 milionë dollarë për informacione që çojnë në identifikimin e rrjeteve që ndihmojnë Gardën Revolucionare Iraniane në transportimin dhe shitjen e naftës, duke anashkaluar sanksionet ndërkombëtare.
Washingtoni akuzon prej kohësh Teheranin se përdor rrjete komplekse ndërkombëtare të transportit dhe ndërmjetësimit për të financuar operacionet ushtarake dhe grupet aleate në rajon.
Para nisjes drejt Pekinit, Trump u shpreh se SHBA-ja nuk ka nevojë për ndihmën e NATO-s në përballjen me Iranin.
“Isha thellësisht i zhgënjyer nga NATO-ja. Kur kishim nevojë, ata nuk ishin aty. Në fakt, ne nuk kemi nevojë për NATO-n”, deklaroi presidenti amerikan.
Ai shtoi gjithashtu se Uashingtoni nuk ka nevojë as për ndihmën e Kinës për t’i dhënë fund konfliktit me Iranin, por la të kuptohet se do të diskutojë me Xi Jinping për zhvillimet ndërkombëtare.
Trump nuk kurseu as kritikat ndaj mediave amerikane, duke i akuzuar për raportime të rreme lidhur me zhvillimet ushtarake kundër Iranit.
“Kur lajmet e rreme pretendojnë se Irani po fiton epërsi ushtarake kundër nesh, kjo është pothuajse tradhti”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Takimi Trump-Xi po shihet si një moment kyç diplomatik, me ndikim potencial në disa prej krizave më të mëdha globale aktuale.

