Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka dhënë sinjale optimiste për të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt integrimit evropian, duke deklaruar se procesi i zgjerimit tashmë është në lëvizje dhe se viti 2030 mund të shënojë një moment historik për Bashkimin Evropian.
Gjatë një takimi ministror të grupit joformal “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” në Bratislavë, Kos theksoi se disa vende kandidate kanë vendosur objektiva ambicioze për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të dekadës.
“Po, zgjerimi po ndodh. Disa vende kandidate kanë caktuar ambicie të forta për të mbyllur negociatat dhe për t’u anëtarësuar. Fillimi i dekadës së re, në vitin 2030, mund të jetë një pikë kthese për Bashkimin Evropian”, deklaroi ajo.
Komisionerja përmendi progresin e vendeve të rajonit, duke veçuar Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas saj, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm, me hapjen e të gjitha grupkapitujve të negociatave, ndërsa shprehu shpresën që procesi të ecë me ritme të shpejta drejt mbylljes së tyre.
“A mund ta imagjinoni? Që nga viti 2009 kemi nisur punën për traktatin e pranimit me Malin e Zi. Me Shqipërinë kemi hapur të gjitha grupkapitujt dhe shpresojmë t’i mbyllim sa më shpejt”, u shpreh Kos.
Ajo nënvizoi se objektivi i saj personal është që deri në përfundim të mandatit të saj në vitin 2030, disa nga vendet aspirante të kenë përfunduar me sukses negociatat dhe të jenë gati për anëtarësim të plotë në BE.
Megjithatë, Kos theksoi se ky proces mbetet i kushtëzuar nga zbatimi i reformave dhe përputhja e plotë me ligjet dhe vlerat e Bashkimit Evropian.
Deklaratat e saj vijnë në një moment kur vendet e Ballkanit Perëndimor po intensifikojnë përpjekjet për integrim, ndërsa BE po sinjalizon një qasje më aktive ndaj zgjerimit pas viteve të ngadalësimit.

