Senati i Shteteve të Bashkuara ka rrëzuar me një diferencë minimale rezolutën që synonte të detyronte tërheqjen e forcave amerikane të përfshira në konfliktin me Iranin, duke i lënë presidentit Donald Trump kompetencat për të vazhduar veprimet ushtarake pa kufizime të reja nga Kongresi.
Rezoluta u hodh poshtë me 50 vota kundër dhe 49 pro, në një votim që nxori në pah përçarjet politike në Uashington lidhur me përfshirjen amerikane në Lindjen e Mesme. Tre senatorë republikanë iu bashkuan demokratëve në mbështetje të nismës.
Për herë të parë që nga nisja e konfliktit, senatorja republikane Lisa Murkowski votoi pro tërheqjes së trupave amerikane, duke shprehur pakënaqësi për mungesën e transparencës nga administrata Trump.
“Prisnim një pasqyrë më të qartë mbi situatën në terren, por kjo nuk ndodhi”, raportoi ajo pas votimit.
Demokratët argumentuan se vetëm Kongresi ka autoritet kushtetues për të shpallur luftë dhe se presidenti ka tejkaluar afatin ligjor 60-ditor për të siguruar miratimin parlamentar për operacionet ushtarake.
Nga ana tjetër, administrata Trump pretendon se për shkak të armëpushimit të shpallur me Iranin, konflikti konsiderohet praktikisht i mbyllur, edhe pse trupat amerikane vazhdojnë të mbeten të vendosura në rajon.
Senatori demokrat Jeff Merkley, një nga autorët e rezolutës, tha se ekziston shqetësim edhe në mesin e republikanëve për situatën aktuale, ndërsa senatori Tim Kaine paralajmëroi se demokratët do të vazhdojnë të sjellin nisma të ngjashme çdo javë derisa Senati të marrë një qëndrim të qartë kundër përfshirjes ushtarake.
Votimi konsiderohet një fitore politike për Trumpin, i cili ka mbrojtur linjën e tij të ashpër ndaj Iranit, pavarësisht kritikave për shmangie të mbikëqyrjes së Kongresit.

