Dy persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për përfshirje në sulmin fizik ndaj kryetarit të Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehana.
Prokuroria ka bërë të ditur se të dyshuarit me inicialet E.L. dhe B.N. po hetohen për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, pas incidentit që ka ndodhur në Skenderaj.
Sipas njoftimit zyrtar, organet e hetuesisë kanë intervistuar të dyshuarit, si dhe viktimat H.M. (Hysni Mehana) dhe B.Z., përveç pesë dëshmitarëve që dyshohet se kanë qenë prezentë gjatë ngjarjes.
Megjithatë, hetimet ende nuk janë përmbyllur, pasi Sami Lushtaku, emri i të cilit është përmendur në lidhje me rastin, nuk i është përgjigjur ende ftesës së Prokurorisë për intervistim.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, as Kushtrim Haziri, i cili po ashtu përmendet si i dyshuar në këtë rast, nuk është paraqitur deri më tani para autoriteteve hetimore.
Rasti ka nxitur reagime politike, ndërsa pritet që hetimet të sqarojnë plotësisht rrethanat e incidentit.

