Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin shpalljen formale të pavarësisë së Tajvanit, duke theksuar se Uashingtoni nuk kërkon përshkallëzim apo konflikt ushtarak me Kinën.
Deklaratat e Trump erdhën pas samitit dyditor me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin, ku çështja e Tajvanit ishte ndër temat kryesore të diskutimit.
Në një intervistë për Fox News, Trump u shpreh qartë se SHBA nuk po inkurajon ndryshim të status quo-së.
“Nuk po kërkoj që dikush të bëhet i pavarur. Nuk po kërkojmë luftëra. Dua që situata të qetësohet,” deklaroi presidenti amerikan.
Trump tha se kishte zhvilluar diskutime të gjera me Xi lidhur me Tajvanin, duke shtuar se lideri kinez e konsideron këtë çështje tepër të ndjeshme.
“Xi e ndien shumë fort këtë çështje dhe nuk dëshiron të shohë lëvizje për pavarësi,” tha ai.
Presidenti amerikan shmangu të japë një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse SHBA do ta mbronte ushtarakisht Tajvanin në rast të një konflikti me Kinën, por u shpreh optimist se një përplasje mund të shmanget.
Nga ana tjetër, Kina ka paralajmëruar vazhdimisht se Tajvani është pjesë e territorit të saj dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ribashkim.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment tensionesh të larta në Azi-Paqësor, ndërsa Pekini ka shtuar stërvitjet ushtarake pranë ishullit, kurse SHBA vazhdon mbështetjen ushtarake për Tajvanin me furnizime armësh.
Megjithatë, Trump la të kuptohet se administrata e tij synon ruajtjen e ekuilibrit diplomatik me Kinën, duke shmangur çdo sinjal që mund të interpretohet si mbështetje për pavarësi formale të Tajvanit.

