Një shtetas i Kosovës i kërkuar ndërkombëtarisht për veprën penale “Mashtrim” është ekstraduar nga Kroacia në Kosovë, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, ekstradimi është realizuar më 15 maj 2026, nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
Bëhet fjalë për personin me inicialet I.E., i cili ishte arrestuar nga autoritetet kroate pasi kërkohej përmes INTERPOL-it me letër-rreshtim ndërkombëtar, të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Sipas Policisë, i dyshuari kishte arritur t’i shmangej drejtësisë, ndërsa ndaj tij rëndojnë dyshime për përfshirje në veprën penale të mashtrimit.
“Ekstradimi është realizuar në bazë të ligjeve në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe autoriteteve kroate”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Pas kthimit në Kosovë, i dyshuari i është dorëzuar njësive kompetente të Policisë në rajonin e Prizrenit, ku do të vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore.
Ky rast konsiderohet si një tjetër rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e krimit dhe sjelljen para drejtësisë të personave që tentojnë t’i shmangen organeve ligjzbatuese.

