Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandimit të rreth 200 kilogramëve mish (dyner) në Pikëkalimin Kufitar Glloboçicë, duke shmangur një rrezik serioz për shëndetin publik.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur mbrëmjen e kaluar rreth orës 18:20, kur zyrtarët doganorë ndaluan për kontroll një automjet udhëtarësh në hyrje të vendit.
Megjithëse drejtuesi i automjetit kishte deklaruar se nuk posedonte asgjë për të deklaruar, kontrolli i detajuar zbuloi 10 rollne dyneri me peshë nga 20 kilogramë secila, me një sasi totale prej 200 kilogramësh dhe vlerë të përafërt prej 800 eurosh.
Autoritetet kanë ngritur shqetësim serioz për faktin se mishi po transportohej në kushte krejtësisht të papërshtatshme higjienike, brenda një automjeti të zakonshëm, pa sistem frigoriferik dhe pa temperaturë të kontrolluar, duke shmangur njëkohësisht edhe kontrollin sanitar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Sipas Doganës, hyrja e produkteve ushqimore në kushte të tilla përbën rrezik potencialisht të lartë për mijëra konsumatorë, për shkak të mundësisë së kontaminimit dhe dëmtimit të produktit.
Malli është sekuestruar menjëherë, ndërsa ndaj personit përgjegjës është iniciuar procedurë kundërvajtëse, me rastin që do të trajtohet sipas procedurave ligjore.
Dogana e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve të shmangin aktivitetet ilegale dhe kontrabandën, duke theksuar se shkelje të tilla jo vetëm që cenojnë ekonominë formale, por mund të kenë pasoja të rënda për shëndetin publik.

