Çaji i trëndafilit nuk është vetëm një pije aromatike dhe relaksuese, por edhe një burim natyral me përfitime të shumta shëndetësore, duke ndihmuar në forcimin e imunitetit, përmirësimin e tretjes dhe mbështetjen e shëndetit hormonal.
I përdorur prej shekujsh në mjekësinë tradicionale, veçanërisht në Azi, çaji i përgatitur nga petalet e trëndafilit po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet për vetitë e tij antioksiduese dhe anti-inflamatore.
Përfitimet kryesore
Sipas ekspertëve të mjekësisë natyrale, çaji i trëndafilit:
- Forcon sistemin imunitar, falë përmbajtjes së vitaminës C dhe antioksidantëve;
- Ndihmon tretjen, duke lehtësuar fryrjen, spazmat dhe shqetësimet në stomak;
- Qetëson stresin dhe ankthin, përmes aromës relaksuese dhe efektit qetësues në sistemin nervor;
- Mbështet balancën hormonale, sidomos te gratë gjatë ciklit menstrual apo menopauzës;
- Përmirëson shëndetin e lëkurës, duke ndihmuar hidratimin dhe reduktimin e irritimeve;
- Kontribuon në shëndetin e zemrës, përmes përmirësimit të qarkullimit të gjakut.
Si përgatitet?
Për përgatitjen e kësaj pijeje mjafton:
Një deri në dy lugë çaji me petale trëndafili të thata ose disa sytha trëndafili, të cilat hidhen në një filxhan me ujë të valuar.
Pija lihet të qëndrojë për 5 deri në 10 minuta, më pas kullohet dhe është gati për konsum.
Për një shije më të pasur dhe përfitime shtesë, mund të shtoni:
- Mjaltë
- Limon
- Hurma
Ekspertët rekomandojnë konsum të moderuar, veçanërisht për personat që kanë alergji ndaj bimëve apo përdorin terapi hormonale.

