Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidatja për një mandat të ri, Janina Ymeri, ka ndarë detaje nga jeta e saj personale dhe politike, duke folur hapur për sfidat që, sipas saj, po përjeton skena politike në vend.
Në një rrëfim personal, Ymeri tha se ekspozimi publik i ka ndryshuar përditshmërinë, duke theksuar se tashmë njihet kudo nga qytetarët.
“Edhe në market tash me dalë, të njohin krejt. E mirëpres që njerëzit më identifikojnë për atë që e them dhe më përkrahin”, u shpreh ajo.
Megjithatë, sipas saj, vëmendja dhe publiciteti shpesh bëhen pengesë në jetën private.
Duke komentuar klimën politike në Kosovë, Ymeri akuzoi pushtetin aktual për krijimin e një atmosfere linçuese ndaj kundërshtarëve politikë, të cilën e krahasoi me metoda të regjimeve të së kaluarës.
“Njëherë shkon zhveshja morale, pastaj të dehumanizojnë, të bëjnë njeri përtej asaj që je, që t’u japin material të tjerëve për të të sulmuar e baltosur. Në të kaluarën nuk ka qenë kështu”, deklaroi ajo.
Madje, Ymeri bëri një krahasim të fortë me periudhën e diktaturës në Shqipëri.
“Sot në Kosovë po ndodh një metodë linçimi siç ka ndodhur në kohën e Enver Hoxhës”, tha ajo.
Ajo tregoi se një nga arsyet kryesore që e shtyu të përfshihet në politikë ishte mungesa e kushteve për një jetë dinjitoze në Kosovë.
Sipas saj, largimi i qytetarëve nga vendi nuk lidhet vetëm me vështirësitë ekonomike, por edhe me mungesën e perspektivës dhe klimën e përgjithshme shoqërore e politike.

