Jose Mourinho mund të rikthehet sërish në pankinën e Real Madridit, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare që bëjnë të ditur se klubi madrilen ka zgjedhur trajnerin portugez për një mandat të ri.
Sipas burimeve si Marca, COPE dhe The Athletic, marrëveshja mes palëve thuhet se është drejt finalizimit, ndërsa mungon vetëm zyrtarizimi i kontratës.
Mourinho, i cili aktualisht drejton Benficën, pritet ta mbyllë aventurën e tij në Portugali me ndeshjen e fundit këtë fundjavë, përpara se të nisë një kapitull të ri në Madrid.
Real Madridi raportohet se do t’i paguajë Benficës rreth 3 milionë euro për prishjen e kontratës së portugezit.
Ky do të ishte rikthimi i dytë i një trajneri të njohur në epokën Florentino Perez, pas rikthimeve të mëhershme të Zinedine Zidane dhe Carlo Ancelottit.
Mourinho e drejtoi Real Madridin nga 2010 deri më 2013, duke regjistruar 178 ndeshje dhe duke fituar tre trofe, përfshirë titullin e La Liga-s. Megjithatë, ai nuk arriti ta fitonte trofeun e shumëdëshiruar të Champions League me “Los Blancos”.
Sipas raportimeve, fillimisht ideja për rikthimin e Mourinhos ishte hedhur nga agjenti i tij Jorge Mendes në fund të marsit, por drejtuesit e Realit nuk e kishin parë si prioritet.
Megjithatë, situata e brendshme në klub – rezultatet zhgënjyese, tensionet në zhveshtore dhe nevoja për disiplinë – duket se kanë ndryshuar qëndrimin e presidentit Florentino Perez.
Në garë ishte përfolur edhe emri i Zinedine Zidane, por angazhimi i mundshëm i francezit me kombëtaren e Francës pas Botërorit 2026 e ka bërë të pamundur rikthimin e tij.
Nëse konfirmohet, Mourinho do të rikthehej në “Santiago Bernabéu” me misionin për të rikthyer stabilitetin dhe suksesin te gjiganti spanjoll.

