Bullgaria është shpallur fituese e Eurovision Song Contest 2026, me këngëtaren DARA dhe këngën energjike “Bangaranga”, duke triumfuar në edicionin jubilar të 70-të të festivalit me 516 pikë.
Finalja madhështore e mbajtur në “Wiener Stadthalle” në Vjenë solli emocione të forta, spektakël muzikor dhe polemika, sidomos rreth renditjes së Izraelit, i cili u pozicionua në vendin e dytë mes protestave dhe reagimeve nga publiku në sallë.
Në podium u ngjit edhe Rumania, që siguroi vendin e tretë me 296 pikë, ndërsa Australia u rendit e katërta me 287 pikë. Italia, e përfaqësuar nga Sal Da Vinci, e mbylli Top 5 me 281 pikë. Ndërkohë, Britania e Madhe mbeti e fundit me vetëm 1 pikë.
Shqipëria, e përfaqësuar nga Alis Kallaci me baladën prekëse “Nân”, e përfundoi garën në vendin e 13-të me 145 pikë — 85 pikë nga publiku dhe 60 nga juritë profesionale.
Performanca shqiptare u vlerësua për emocionin dhe mesazhin e saj të fortë mbi emigracionin, mungesën dhe mallin për nënën. Në skenë, Alis u shoqërua nga aktorja e njohur Rajmonda Bulku, duke krijuar një moment artistik që u komentua pozitivisht edhe nga mediat ndërkombëtare.
Sipas raportimeve, edhe BBC e cilësoi performancën shqiptare si një nga interpretimet më emocionale të mbrëmjes.
Shqipëria mori 12 pikë nga Portugalia dhe 10 pikë nga Mali i Zi, ndërsa nga ana tjetër juria shqiptare i dha 12 pikët Italisë dhe 10 Norvegjisë.
Me triumfin e Bullgarisë, Eurovision 2027 do të mbahet në Sofje.

