Sot, më 17 maj, përfundon afati për regjistrimin e votuesve nga diaspora për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka rikujtuar qytetarët që të verifikojnë me kohë qendrën e tyre të votimit dhe të bëjnë ndryshimet e nevojshme brenda afatit.
“Verifiko Qendrën tënde të Votimit! Kanë mbetur vetëm edhe 1 ditë për të ndërruar Qendrën e Votimit brenda komunës – afati mbyllet më 17 maj 2026”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të votojnë në dy forma: përmes postës ose në përfaqësitë diplomatike.
Sipas kalendarit zgjedhor, votimi me postë do të nisë më 25 maj dhe do të zgjasë deri më 6 qershor, ndërsa votimi fizik në ambasada dhe konsullata do të mbahet më 6 qershor, nga ora 07:00 deri në 19:00.
Ndërkohë, nga 6 maji ka nisur edhe periudha për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës, si dhe për konfirmimin apo kundërshtimin e pasaktësive në listën votuese.
KQZ ka miratuar tashmë Listën Preliminare të Votuesve, e cila përfshin 2,092,202 votues, ose 15,912 më shumë krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare.
Po ashtu, institucioni zgjedhor ka certifikuar 902 kandidatë për deputetë nga 21 subjekte politike, që do të garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit.

