Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përshëndetur votimin e përbashkët të opozitës dhe shumicës qeverisëse për rezolutën që mbështet procesin e integrimit europian, duke e cilësuar këtë si një zhvillim pozitiv dhe një sinjal se “bllokimi” i shumëpërfolur nuk ekziston.
Në podkastin e tij “Flasim”, Rama tha se bashkimi i votave në Kuvend për çështjen e integrimit është një hap i mirëpritur, edhe pse sipas tij i vonuar.
“Më vjen mirë që opozita e ka kuptuar se procesi është i pandalshëm dhe se bllokimi i shumëpërfolur nuk ekziston. Edhe një herë e vetme ka vlerën e vet kur bëhet fjalë për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria pritet të marrë së shpejti një tjetër lajm pozitiv në rrugën drejt BE-së, duke paralajmëruar kalimin në një fazë të re të negociatave.
“Së shpejti do të vijë një lajm i ri dhe i mirë për procesin, jo vetëm për hapjen e kapitujve, por edhe për fillimin e mbylljes së tyre”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, procesi i integrimit europian është tashmë në një trajektore të pakthyeshme, ndërsa bashkimi i opozitës me shumicën në këtë çështje, sipas tij, është dëshmi se konsensusi për të ardhmen europiane të vendit po forcohet.

