Shkalla vjetore e inflacionit në Kosovë ka arritur në 7.5 për qind gjatë muajit prill, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa inflacioni mujor ka shënuar rritje prej 1.1 për qind, duke shtuar presionin mbi ekonomitë familjare dhe bizneset në vend.
Rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar në sektorin e transportit, pasuar nga kostot e strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve tjera djegëse, duke prekur drejtpërdrejt shpenzimet bazë të qytetarëve.
Ekspertët e ekonomisë po e konsiderojnë këtë zhvillim alarmues. Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, e ka cilësuar inflacionin si një “sëmundje kancerogjene” për ekonominë dhe shoqërinë.
“Anashkalimi i proceseve ekonomike dhe fokusimi vetëm në agjenda politike po e dëmton rëndë ekonominë e Kosovës. Indikatorët janë shqetësues”, ka deklaruar ai.
Sipas Gërxhaliut, Kosova vazhdon të ketë të hyrat më të ulëta për kokë banori në Ballkanin Perëndimor, ndërsa rritja e çmimeve të produkteve esenciale po e rëndon edhe më shumë situatën sociale.
Ai ka theksuar se ekonomia e vendit është bërë tejet e varur nga importi, duke përmendur se gjatë vitit 2025 Kosova ka importuar mbi 7.1 miliardë euro mallra, ndërsa Dogana ka inkasuar mbi 2 miliardë euro të hyra.
Edhe eksperti tjetër ekonomik, Bashkim Mustafa, e sheh këtë situatë si pasojë të dështimit ekonomik dhe politik.
“Inflacioni i lartë është kancer për ekonominë. Sot qytetarët janë më të varfër, bizneset po përballen me kosto të papërballueshme, investimet do të bien dhe jeta do të vështirësohet edhe më shumë”, ka deklaruar ai.
Sipas Mustafës, pasojat tashmë po reflektohen edhe në rritjen e migrimit, dobësimin e aktivitetit ekonomik dhe tkurrjen e fuqisë blerëse.
Ekspertët kërkojnë reagim urgjent institucional, duke vlerësuar se Qeveria duhet të ndërmarrë masa konkrete për të zbutur ndikimin e krizës së çmimeve dhe për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve.

