Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shprehur bindjen se partia e tij do të shënojë rritje të rezultatit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, duke synuar mbi 60 për qind të votave.
Përmes një deklarate publike, Kurti tha se LVV do të garojë sërish me numrin 116, të njëjtin numër që kishte edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar.
“Numri ynë në zgjedhjet e 7 qershorit është i njëjtë me numrin që patëm në zgjedhjet e 28 dhjetorit, pra 116. Ajo që do të ndryshojë këtë herë është përqindja e votave; nga 51.1% sa ishte në dimër, tani do të jetë 60%, ndoshta edhe më shumë”, ka deklaruar Kurti.
Duke folur para qytetarëve në Lipjan, ai theksoi se qeveria e tij ka vepruar shpejt në javët e fundit, duke përmendur disa prej vendimeve që, sipas tij, janë realizuar.
Kurti përmendi miratimin e ligjit për çmimet tavan për produktet bazë, pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik që paguhen nga buxheti i shtetit, si dhe buxhetin prej 4 miliardë eurosh.
“Ashtu siç e premtuam, e bëmë”, tha ai, duke e paraqitur këtë si dëshmi të përmbushjes së zotimeve qeveritare para zgjedhjeve.

