Situata në Kubë po bëhet gjithnjë e më e tensionuar, ndërsa presioni në rritje i Shteteve të Bashkuara ndaj ishullit komunist po reflektohet drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve, raportoi CNN.
Sipas raportimeve nga Havana, vendi po përballet me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike, mungesë karburanti, produkte bazë ushqimore dhe materiale esenciale, duke thelluar krizën ekonomike që ka goditur vendin.
Situata u tensionua edhe më shumë pas vizitës së drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në kryeqytetin kuban, një zhvillim që konsiderohet me peshë të madhe politike dhe simbolike në marrëdhëniet historikisht të acaruara mes dy vendeve.
Sipas raportit, Ratcliffe zhvilloi takim me drejtues të shërbimeve sekrete kubane, ndërsa analisti amerikan Peter Kornbluh e cilësoi këtë si “kulmi i ironisë historike”, duke pasur parasysh dekadat e përplasjes mes Kubës dhe CIA-s që nga epoka e Fidel Castros.
Burime amerikane pretendojnë se gjatë takimit, drejtori i CIA-s ngriti shqetësime për praninë e bazave ruse dhe kineze të përgjimit në Kubë, duke akuzuar Havanën për cenim të interesave amerikane në rajon.
Nga ana tjetër, autoritetet kubane kanë mohuar çdo kërcënim ndaj SHBA-së dhe kanë kërkuar lehtësimin e embargos ekonomike, të cilën e konsiderojnë shkaktaren kryesore të krizës së rëndë ekonomike.
Tensionet janë shtuar edhe më tej pas raportimeve se prokurorët federalë amerikanë po shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së akuzave ndaj ish-presidentit Raul Castro për rrëzimin e dy avionëve të organizatës kubano-amerikane “Brothers to the Rescue” në vitin 1996.
Nëse kjo ndodh, mund të hapet rruga edhe për një urdhër-arresti ndërkombëtar, duke e futur marrëdhënien SHBA-Kubë në një fazë të re përplasjeje diplomatike.

