Më shumë se një milion incidente të bllokimit dhe manipulimit të GPS-it janë regjistruar që nga shpërthimi i konfliktit me Iranin, duke e kthyer navigimin satelitor në një tjetër front të padukshëm të luftës moderne, raportoi Sky News.
Ekspertët e sigurisë thonë se ndërprerja e sinjalit GPS po përdoret masivisht në Ngushticën e Hormuzit, jo vetëm për qëllime ushtarake kundër dronëve dhe raketave, por edhe për të fshehur lëvizjet e cisternave të naftës dhe infrastrukturës strategjike.
Sipas analizës së kompanisë së inteligjencës detare Windward, rajoni i Lindjes së Mesme përbën 98% të të gjitha incidenteve globale të GPS jamming, me mbi një milion raste të raportuara.
Eksperti i luftës elektronike në RUSI, Dr. Thomas Withington, deklaroi për Sky News se kjo praktikë tashmë është bërë rutinë.
“Të gjithë po e bëjnë,” tha ai, duke përfshirë Iranin, SHBA-në dhe shtetet e Gjirit Persik.
Në hartat e gjurmimit detar shfaqen skena absurde: anije që duken sikur “fluturojnë” dhjetëra kilometra larg kursit normal ose grumbullohen në të njëjtën pikë – shenja të qarta të GPS spoofing, ku sistemi mashtrohet me koordinata të rreme.
Ekspertët thonë se Irani e ka avancuar ndjeshëm këtë teknologji, duke blerë sisteme nga Rusia dhe duke zhvilluar kapacitetet e veta, ndërsa taktika përdoret edhe për të ndihmuar cisternat iraniane të shmangin sanksionet ndërkombëtare.
Analistja e inteligjencës detare Michelle Wiese Bockmann shpjegon se disa anije iraniane falsifikojnë vendndodhjen e tyre për t’u dukur në ujëra ndërkombëtare, ndërkohë që në realitet shkojnë drejt terminaleve iraniane për ngarkim nafte.
Fenomeni nuk kufizohet vetëm në det. Ndërprerje GPS janë raportuar edhe në aviacion. Në vitin 2025, një avion që transportonte presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen pësoi ndërhyrje të dyshuar në sinjal, për të cilën BE dyshoi Rusinë.
Në Lindjen e Mesme, edhe Izraeli është akuzuar prej kohësh për përdorim të GPS spoofing, për të penguar precizionin e raketave apo dronëve të kundërshtarëve.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, ekspertët theksojnë se GPS mbetet jetik për navigimin global, por paralajmërojnë se luftërat moderne po tregojnë sa i cenueshëm është ky sistem ndaj manipulimit elektronik.
