Pak orë para protestës së paralajmëruar të studentëve në Shkup, ka reaguar kryetari i Lëvizjes Demokratike dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, duke paralajmëruar zhvillime të reja lidhur me të drejtat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Përmes një postimi publik, Mexhiti ka njoftuar se provimi i jurisprudencës do të mund të mbahet edhe në gjuhën shqipe, duke lënë të kuptohet se vendimi pritet të formalizohet së shpejti.
“Provimi i jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe! Së shpejti me lajme të mira…”, ka shkruar Mexhiti.
Reagimi i tij vjen në një moment të ndjeshëm, vetëm pak orë para protestës së studentëve, të cilët kanë shprehur pakënaqësi lidhur me çështje që prekin arsimin dhe trajtimin institucional të shqiptarëve në vend.
Deklarata e Mexhitit shihet si një sinjal politik për adresimin e një kërkese të kahershme të studentëve shqiptarë, për barazi më të madhe në sistemin arsimor dhe profesional në Maqedoninë e Veriut.

