Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë vizituar punimet për ndërtimin e fabrikës së municioneve në Jahoc të Gjakovës, një projekt që konsiderohet hap i madh drejt zhvillimit të industrisë vendore të mbrojtjes.
Sipas njoftimit zyrtar, industria e mbrojtjes e Kosovës do ta nisë prodhimin fillimisht me fishekë të kalibrave 5.56 mm dhe 7.62 mm, ndërsa në fazat e ardhshme synohet zgjerimi i kapaciteteve edhe me prodhimin e dronëve “Made in Kosova”.
Fabrika po ndërtohet në një sipërfaqe prej 19 hektarësh, pjesë e një zone prej gjithsej 140 hektarësh të dedikuar për industrinë e mbrojtjes në Gjakovë, të ndara nga Qeveria e Kosovës.
Ky projekt vjen në kuadër të strategjisë për fuqizimin e sektorit të mbrojtjes, ndërsa qeveria ka paralajmëruar investime të mëdha në vitet e ardhshme.
Sipas ekzekutivit, për katër vitet e ardhshme planifikohen mbi 1 miliard euro investime në mbrojtje, të orientuara në modernizimin e pajisjeve ushtarake, rritjen e kapaciteteve dhe avancimin e trajnimeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

