Rusia ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj vendeve baltike, duke deklaruar se anëtarësimi në NATO nuk do t’i mbrojë nga kundërpërgjigjja ruse, nëse përfshihen në operacione ushtarake kundër Moskës.
Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzya, gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit për situatën në Ukrainë, pretendoi se Moska ka informacione sipas të cilave Ukraina po planifikon të lëshojë dronë ushtarakë nga Letonia dhe shtete të tjera baltike.
Sipas tij, Kievi ka vendosur tashmë njësi dronësh në territorin letonez, duke paralajmëruar se kjo mund të sjellë një përshkallëzim të rrezikshëm në rajon.
“Anëtarësimi në NATO nuk do t’i mbrojë nga kundërpërgjigjet”, deklaroi Nebenzya, në një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj aleatëve të NATO-s në Baltik.
Pretendimet ruse u hodhën poshtë menjëherë nga Letonia. Përfaqësuesja letoneze në OKB, Sanita Pavluta-Deslandes, i quajti deklaratat e Moskës “fantazi të pastër” dhe propagandë.
Reagim të menjëhershëm pati edhe nga Shtetet e Bashkuara. Zëvendësambasadorja amerikane në OKB, Tammy Bruce, theksoi se Kombet e Bashkuara nuk janë vend për kërcënime ndaj shteteve anëtare, duke nënvizuar se SHBA do të respektojë plotësisht angazhimet e saj në kuadër të NATO-s.
Deklaratat vijnë në një kohë tensionesh të larta mes Rusisë dhe Perëndimit, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon të rrisë shqetësimet për zgjerim të konfliktit përtej kufijve ukrainas.

