Pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian – Austria, Italia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Sllovenia – kanë propozuar një model të ri për integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, duke ofruar përfitime sektoriale para anëtarësimit të plotë.
Sipas raportimit të Euractiv, modeli i ri parasheh që vendet kandidate të përfitojnë qasje hap pas hapi në tregun e përbashkët evropian, në fusha si energjia, transporti, tregu digjital dhe lëndët e para kritike, bazuar në progresin e tyre në harmonizimin me legjislacionin e BE-së.
Megjithatë, në dokumentin konfidencial të shpërndarë në Bruksel, përmenden konkretisht Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, ndërsa Kosova nuk figuron në mesin e vendeve të përfshira drejtpërdrejt në këtë fazë të propozimit.
Ky zhvillim shihet si një sinjal politik domethënës për rajonin, pasi Mali i Zi konsiderohet kandidati më i avancuar, Shqipëria po fiton ritëm në negociata, ndërsa Serbia mbetet faktor kyç pavarësisht pengesave politike.
Qëllimi i nismës, sipas vendeve propozuese, është ruajtja e momentit të zgjerimit të BE-së dhe frenimi i ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.
“Qasja e bazuar në meritë – hap pas hapi në tregun e vetëm evropian – përfaqëson një nxitje të fortë”, thuhet në dokument.
Për Kosovën, mungesa në këtë listë ngre pikëpyetje për pozitën e saj në procesin e integrimit evropian, në një kohë kur vendi ende nuk e ka statusin e kandidatit zyrtar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

