Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar me një mesazh të qartë në mbrojtje të grave punëtore, duke theksuar se puna dhe dinjiteti janë vlerat që e çojnë Kosovën përpara, e jo gjuha e urrejtjes dhe përçmimit.
“Veç puna e çon përpara Kosovën. Jo urrejtja e përçmimi!”, ka shkruar Osmani.
Ajo theksoi se asnjë grua që punon nuk duhet të bëhet objekt talljeje apo nënçmimi, duke përmendur gratë në profesione dhe role të ndryshme të përditshmërisë.
“As gruaja në sallon. As gruaja në market. As gruaja në shkollë. As gruaja në spital. As gruaja në zyre. As gruaja në Universitet. As gruaja që mban biznes. As gruaja që mban familje”, thuhet në reagimin e saj.
Osmani i cilësoi gratë si “shtylla e Kosovës” dhe “heroina të përditshme” që mbajnë familjet, kontribuojnë në ekonomi dhe ndërtojnë shoqërinë me punën e tyre.
“Gruaja e lodhur nga puna vlen më shumë se mijëra fjalët tuaja boshe”, përfundoi ajo.
Ky reagim vjen në kulmin e debatit politik të ditës, pas polemikave të nxitura nga deklarata dhe interpretime të ndryshme në skenën politike lidhur me komentet për gratë dhe profesionet e tyre.

