Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj qeverisjes aktuale, duke thënë se qytetarët meritojnë përgjigje konkrete për rezultatet e gjashtë viteve të fundit në pushtet.
Hamza tha se qeverisja e kaluar e kishte lënë Kosovën me institucione stabile, autostrada moderne, partneritete të fuqishme me aleatët ndërkombëtarë dhe me kapacitete të konsoliduara të sigurisë.
“Po, Kosova ka mundur të jetë edhe më mirë. Por qeverisjen tonë e kemi dorëzuar me Kosovën shtet të pavarur, me autostrada moderne, institucione stabile dhe partneritete të fuqishme me aleatët tanë. Kemi ndërtuar polici dhe ushtri që sot janë shembull për rajonin. Kemi ndërtuar shtet”, ka deklaruar Hamza.
Ai akuzoi ekzekutivin aktual për mungesë rezultatesh dhe për qasje të bazuar në justifikime e kriza të vazhdueshme, teksa theksoi se gjendja ekonomike po rëndon mbi qytetarët.
“Pas gjashtë vitesh në pushtet, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë vetëm një përgjigje nga qeveria aktuale: çfarë keni bërë ju për Kosovën?”, u shpreh ai.
Hamza shtoi se familjet kosovare po përballen me vështirësi ekonomike për shkak të rritjes së çmimeve, duke theksuar se vendi ka nevojë për zhvillim dhe shpresë.
“Qytetarët meritojnë rezultate. Meritojnë zhvillim. Meritojnë shpresë. Koha për ndryshim është tani”, përfundoi ai.

